Tuesday, April 2, 2013

Bayerni ia tregoi ‘dhëmbët’ Juves, Barça barazoi në Paris

Bayern Munichu ia ka treguar ‘dhëmbët’ Juventusit, ndaj të cilit ka dominuar tërësisht në duelin e parë çerekfinal të Ligës Kampionëve, i cili u zhvillua sonte në stadiumin Allianz Arena.
Skuadra Bavareze ka fituar me rezultat 2:0, por epërsia ka mundur të jetë edhe më e lartë, sikur Robben, Ribery, Alaba e Schweinsteiger të ishin më të saktë në rastet e tyre.
Ekipi i Jupp Heynckes ia ka ‘prerë’ këmbët gjigantit italian qysh në sekondën e 25-të, kur David Alaba shënoi nga distanca, edhe pse pati një devijim, duke e befasuar portierin Gianluigi Buffon.
Pas dominimit në pjesën e parë, shokët e Xherdan Shaqirit e gjetën golin e dytë vetëm në minutën e 63-të, kur portieri Buffon nuk e devijoi si duhet një gjuajtje të Luis Gustavos, dhe topi përfundoi tek Mario Mandzukic, i cili e shërbeu Thomas Mullerin, që shënoi pa problem nga afërsia.
BayerniF
Udhëtuesit janë treguar të rrezikshëm me Pirlon dhe Vidalin në pjesën e parë dhe një herë me Leandro Bonuccin në atë të dytë, por pa sukses.
Bayerni ka kapital prej dy golash në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një javë në Torino.
Ndërkohë, në duelin tjetër çerekfinal, Barcelona barazoi me Paris Saint Germainin 2:2.
Gjiganti katalunas e ka thënë fjalën kryesore në pjesën e parë, por në të dytën është përballur me sulme të pareshtura të vendësve.
Lionel Messi ka qenë edhe një herë njeriu kryesor i Barçës duke shënuar gol në minutën e 38-të, kur mori një top fenomenal nga Dani Alves. Ylli argjentinas nuk u paraqit në pjesën e dytë, për shkak të një lëndimi të pësuar.
Parisienët barazuan gjithçka në minutën e 80-të përmes Zlatan Ibrahimovicit, i cili ishte në pozitë jashtë loje, por goli i tij u pranua, pasi më parë Thiago Silva e qëlloi shtyllën, pas një goditjeje me kokë. Në fund të takimit u shënuan edhe dy gola. Xavi Hernandez e kaloi Barçën në avantazh, por Matuidi barazoi gjithçka. Sido që të jetë, gjysmëfinalisti nga ky duel çerekfinale do të përcaktohet pas një jave, në ndeshjen e kthimit që do të luhet në Camp Nou. /Fish Media/

0 comments:

Post a Comment